Lumja i jep afat 6 muaj PDK-së me u kfill: Reflektoni, mos më detyroni të nis shkarkimet

Ka përfunduar takimi mes dyshes së fuqishme brenda Partisë Demokratike të Kosovës, bashkëshortja e Hashim Thaçit, Lumnije Thaçi, dhe bashkëshortja e Kadri Veselit, Violeta, janë takuar gjithashtu sot, ku kanë diskutuar mbi realizimin e pritjeve që ato kanë pasur nga kryesia e partisë.

Pas takimit është deklaruar e para Lumnije Thaçi e cila ka thënë se humbja e PDK-së në këto zgjedhje është si rezultat i mos punës dhe mungesës së aktivizmit dhe sinqeritetit me votuesin brenda PDK-së dhe për këtë arsye, partia ka nevojë për një ballafaqim me vetën. 

“Por duke qenë se PDK-ja për herë të parë është ballafaquar me zgjedhje në mungesën e babës së partisë dhe Kosovës, burrit tim të dashur, Hashimit, po ua fali dhe nuk po kërkoj dorëheqje të dikujt menjëherë edhe pse natyrshëm më vjen ta shkarkojë të gjithë kryesinë. Por së bashku me Violetën vendosëm që që t’i japim 6 muaj kohë njerëzve aty që të reflektojnë dhe të vijnë me një plan të qartë sesi ta bëjnë PDK-në numër 1 në Kosovë, brenda dy viteve”, ka thënë Lumja e nervozuar teksa ka dalë me tri kifle në dorë nga banesa e Violetës, që është karshi me zyret e PDK-së. 

Kur është pyetur nga gazetarët se çka i thotë ajo zyrtarëve të lartë të partisë që nuk mendojnë dhe nuk po flasin për dorëheqje, Lumja është nervozuar edhe më shumë. 

“Nëse ka të tillë që mendojnë se kjo humbje do të kalojë si asgjë, janë gabim. Nëse nuk reflektojnë, do të më detyrojnë që të kapi fshisen sikur Albini dhe ti shkarkoj të gjithë”, ka thënë Lumja. 

Pas pak pritet të dalë në konferencë për media edhe Violeta Veseli.